National Parks

Parku Kombëtar i Prespës

Parku Kombëtar i Prespës është parku më i madh në Shqipëri. Sipërfaqja e tij 27 750 ha përfshin dhe dy liqenet e Prespës. Duke qenë se ky park shtrihet në territorin e tre shteteve të ndryshme, si Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia, ai është vlerësuar me një marrëveshje në nivel kryeministrash si “Park Ballkanik”. Ky park është mjaft i pasur me vlera kulturore, arkitektonike, arkeologjike dhe natyrore. Këtu ndodhet rrënoja e kështjelles së Trajanit si dhe një numër kishash eremite bizantine dhe pasbizantine të dekoruara me afreske të mrekullueshme.

Parku Kombëtar Zall Gjocaj

Parku Kombëtar “Zall Gjocaj” është një tjetër park i mrekullueshëm, 40 km në verilindje të qytetit të Burrelit. Ai është mjaft i bukur dhe i pasur me burime dhe disa përrenj.

Parku Kombëtar i Tomorrit

Parku Kombëtar i Tomorrit shtrihet në malin e Tomorrit në jug të qytetit muze të Beratit. Hapësira e parkut kombëtar është 4 000 ha. Të katër stinët janë shumë të bukura në këtë park, por veçanërisht dimri me dëborë. Në lartësinë 1 200 m mbi nivelin e detit gjendet Tyrbja e Abaz Aliut, që konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fund gushti në këtë vend organizohet një ritual dhe festë madhështore si nga besimtarët e sektit bektashi, ashtu edhe shumë njerëz të besimeve të ndryshme. Aktivitet tjetër i cili organizohen aty është ngjitja malore .

Parku Kombëtar Lugina e Valbonës

Ky park konsiderohet si një nga mrekullitë natyrore shqiptare. Ai është vetëm 25 - 30 km nga qyteti i Bajram Currit. Panorama e tij shumëngjyrëshe midis kreshtave të Alpeve dhe Luginës fantasike të Valbonës është një nga kënaqësitë më të mëdha që gjithkush do të donte ta prekte. Biodiversiteti i pasur dhe jashtëzakonisht i pastër i këtij parku do të ishte një atraksion i madh si turistik ashtu edhe shkencor. Parku ofron akomodim, ku karahas të tjerash mund të përmendim stukturat tipke të llojit të haneve.

Parku Kombëtar i Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit përfshin një zonë prej 2500 ha. Klima shumë e favorshme subtropikale e këtij parku e bën atë mjaft të frekuentuar për shumë muaj nga shumë turistë shqiptarë dhe të huaj. Fauna dhe Flora e kësaj zone janë shumë të larmishme. Mund të përmendim midhjen që kultivohet në liqenin e Butrintit, e cila shquhet për vlerat e saj ushqyese dhe shijen. Transparenca e lartë e ujit të detit në këtë zonë është mjaft atraktive për amatorët e nënujit. Qyteti antik i Butrintit është “kryeqyteti” i këtij parku.

Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës”

Ky park është në krahinën e Frashërit, 35 km në verilindje të Përmetit. Bredhi i Hotovës është një nga pemët relike të Mesdheut më të rëndësishme në vend. Ky park ofron mundësi të mëdha për ekoturizëm si me hapësirat e tij rezidenciale si dhe me hapësirat për kampingje. Si ekskursionistët ashtu dhe të dashuruarit me natyrën këtu mund të provojnë kënaqësi të panumërta. Parku shquhet për masivet pyjore të bredhave

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës ndodhet në verilindje, 25 km nga qyteti i Krujës. Parku njihet si një qendër klimaterike. Në këtë park ndodhet burimi i famshëm i “Nënës Mbretëreshë” prej të cilit del një ujë shumë i pastër dhe i akullt, me kualitetet të lartë dhe shumë i shëndetshëm. Uji i këtij burimi është konsumuar nga familja mbretërore shqiptare.

Parku Kombëtar i Llogarasë

Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet 40 km në jug të qytetit të Vlorës. Ky park shquhet për kombinimin e ajrit malor me atë detar, pasi nga Qafa e Llogarasë 1025 metra mbi nivelin e detit, plazhet e Rivierës shqiptare janë vetëm 20 minuta larg me automjet. Parku është i mbuluar me masiv të dendur halorësh dhe shquhet veç të tjerash edhe pikë klimaterike. Si rezultat i drejtimit të erërave aty mund të shikoni “pishën flamur”, që është monument natyror. Ky park është një vend ideal për ushtrimin e sporteve ajrore.

Parku Kombëtar “Pisha e Divjakës”

Ky park është pjesë e zonës së lagunës së Karavastasë, i cila ka sipërfaqe 4200 ha, duke qenë laguna më e madhe e bregdetit shqiptar. Laguna e Karavastasë është një eko – sistem shumë i rëndësishëm natyror, sidomos për folezimin e shpendëve të ndryshëm ujorë. Kjo është pika më perëndimore në Europë ku gjendet pelikani kaçurrel ( pelicanus crispus). Për këtë arsye që prej vitit 1994 kjo zonë ndodhet nën Konventen Ndërkombëtare të RAMSARIT. Parku është i mbuluar nga një bimësi e dendur, ku mbizotërojnë pishat e buta bregdetare.

Parku kombëtar i Lurës

Është i pozicionuar në masivin pyjor “Kunora e Lurës”. Veçantia e parkut të Lurës janë kompleksi i 12 liqeneve akullnajore, të cilat shquhen për bukurinë e tyre të rrallë. Liqeni më i bukur është ai i “Luleve”. Në stinën e verës sipërfaqja e tij mbulohet nga zambakë të bardhë uji. Mbulesa drunore përbëhet nga drurë të ndryshëm ku shquhen masivet me ahishte. Parku ofron mundësira për aktivitete në natyrë , eko –turizmin, ecjet me kuaj, etj.

Pages

Subscribe to National Parks